
E ardhmja e trajnerit të kombëtares shqiptare, Silvinjo, mund të jetë në kampionatin brazilian të futbollit.
Sipas portalit “bolavip.br”, klubi i njohur Corinthians po vlerëson mundësinë e emërimit të teknikut 51-vjeçar për të zëvendësuar Dorival Junior, i cili ka dhënë dorëheqjen nga detyra.
Drejtuesit e klubit po kërkojnë me shpejtësi një trajner të ri për shkak të sfidave të rëndësishme në Copa Libertadores dhe derbit të ardhshëm kundër Palmeiras.
Aktualisht, Silvinjo ka një kontratë të vlefshme me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në fund të korrikut të këtij viti. Ndonëse ende nuk ka një vendim zyrtar për rinovimin apo largimin e tij nga kuqezinjtë, emri i tij po lakohet fort në vendlindje.
Megjithatë, Silvinjo nuk është kandidati i vetëm; në listën e Corinthians raportohet se janë edhe emra të tjerë të njohur si Tite, Fernando Diniz, Marcelo Gallardo, Carlos Carvalhal dhe Bruno Lage.





