
Kontrata aktuale e trajnerit të Kombëtares shqiptare, Silvinjo, me Federatën Shqiptare të Futbollit po shkon drejt përfundimit, pasi skadon në muajin korrik.
Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar nga palët për zgjatjen e mundshme të bashkëpunimit pas përfundimit të këtij afati.
Në këtë periudhë paqartësie, ish-futbollisti i Kombëtares, Klodian Duro, ka shprehur publikisht interesin e tij për këtë post.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka përdorur një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale që e paraqet si trajner të Shqipërisë, Duro ka dhënë një sinjal të drejtpërdrejtë drejt FSHF-së.
Kjo nuk është hera e parë që ish-mesfushori shfaq dëshirën për të marrë drejtimin e stolit kuqezi. Megjithatë, pozicioni i trajnerit mbetet i zënë nga tekniku brazilian, i cili pritet të vendosë për të ardhmen e tij pas përfundimit të kontratës aktuale.








