
Episode sureale dhe skandaloze u regjistruan në ndeshjen e Kategorisë së Parë, mes Kastriotit dhe Skënderbeut, ku krutanët fituan 3-2.
Gjyqtarit Erjon Bylykbashi i iku ndeshja nga kontrolli, kjo edhe për shkak të presionit të madh në stadium, nga të gjitha anët.
Kjo konfirmohet edhe nga disa pamje të bëra publike së fundmi, ku shihet Alessandro Kacbufi teksa i vendos duart në fytyrë gjyqtarit.
Në çdo moment tjetër, do të ishte një karton i kuq i padiskutueshëm, por jo në fushën e Kastriotit. Arbitri vendosi ta falë lojtarin, ndoshta edhe për shkak të “frikës” nga shumë faktorë.
Vendim i çuditshëm ishte edhe kur ndëshkoi me të kuq Klevis Shaqen, i cili nuk po kuptonte për çfarë u përjashtua nga loja.
Në sherr nga Skënderbeu u përfshi vetëm portieri Marco Alia dhe deri diku kartoni për të mund të justifikohej.
Mbetet të shihet vendimi që do të marrë FSHF-ja për Kastriotin, por edhe për arbitrin Erjon Bylykbashi.





