
Ndeshja mes Tiranës dhe Elbasanit, e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe e mbyllur me fitoren 0-1 të ekipit mik, është shoqëruar me masa ligjore për një pjesë të tifozëve të pranishëm.
Policia e Shtetit ka njoftuar zyrtarisht se ka nisur procedimin penal për 10 shtetas, të cilët akuzohen për sjellje të parregullt dhe moszbatim të urdhrave të forcave të rendit gjatë zhvillimit të aktivitetit sportiv.
Sipas njoftimit zyrtar të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, materialet hetimore janë referuar në Prokurori për shtetasit me iniciale S. N., A. L., I. S., K. M., F. E., N. K., I. M., M. Sh., Xh. Gj. dhe P. B. Këta persona dyshohet se gjatë ndeshjes kanë hedhur sende të forta në fushën e lojës, duke rrezikuar mbarëvajtjen e takimit dhe sigurinë e lojtarëve. Gjithashtu, policia bën me dije se të proceduarit nuk u janë bindur urdhrave të punonjësve të policisë të angazhuar për sigurinë në stadium.
Ky reagim i organeve të ligjit vjen pas tensioneve që u vërejtën si gjatë lojës, ashtu edhe pas përfundimit të saj, ku u tentuan edhe përplasje fizike mes grupeve të tifozëve.





