
Tiranës nuk i bën punë as ndryshimi i trajnerit. Ardian Nuhiu ka debutuar me humbje në stolin e bardhebluve.
Kryeqytetasit u mposhtë 0-2 në shtëpi nga Bylis, në javën e 10-të në Superiore. Dy gabime në prapavijën e vendasve, u dhanë fitoren miqve nga Ballshi.
Në minutën e 10-të, ishte Dembele që humbi një top në afërsi të zonës, rast që u shfrytëzua nga Përgjoni, i cili e ndali topin në fundin e rrjetës, për t’i dhënë avantazhin skuadrës së Mirel Josës.
Triana e kishte të vështirë për të reaguar dhe nëntë minuta më vonë, Përgjoni iu afrua edhe golit të dytë, por tentativa shkoi ngjitur me shtyllën.
Në minutën e 27-të, ishte sërish Përgjoni që iu afrua golit, por këtë herë Tafas me një pritje spektakolare e dërgoi topin në goditje këndi.
Rastin e parë të rrezikshëm Tirana e kishte në minutën e 34-t. Soler pasoi për Mensah në zonë, por gjuajtja e sulmuesit ishte për tu harruar, pasi shkoi shumë larg portës.
Fraksioni i dytë nisi i qetë dhe me raste të pakta në të dyja portat. Ndeshja u vulos në minutën e 70-të, kur Vera dhe Tafas nuk u kuptuan me njëri-tjetrin, duke shkaktuar autogol.
Kthimi i topit me kokë nga mbrojtësi, nuk u ndal dot nga portieri dhe shkoi në rrjetë. Me avantazhin 2-0, Bylis e kishte më të lehtë për të menaxhuar ndeshjen.
Me këtë fitore, Bylis ngjitet në kuotën e 12 pikëve në vendin e gjashtë, ndërsa Tirana vazhdon krizën, pasi mban vendin e parafundit me vetëm gjashtë pikë. Kjo është disfata e tretë radhazi për kryeqytetasit.





