
Kombëtarja shqiptare po kalon një periudhë delikate në prag të sfidës vendimtare të “Play-Off”-it ndaj Polonisë, e cila do të luhet pas vetëm dy javësh.
Trajneri Silvinjo po përballet me një krizë dëmtimesh në repartin e sulmit, pasi tre qendërsulmuesit kryesorë, Armando Broja, Mirlind Daku dhe Rey Manaj, nuk janë në kushtet optimale fizike. Shqetësimi më i fundit vjen nga Turqia, ku klubi i Sivasspor ka njoftuar zyrtarisht se Manaj ka pësuar një dëmtim muskulor në kofshën e majtë, duke vënë në dyshim të madh praninë e tij në Varshavë.
Kjo situatë vjen në një moment kritik, pasi të tre sulmuesit kanë qenë pjesë e rëndësishme e planeve të trajnerit brazilian gjatë vitit 2025.
Ndërkohë që për Armando Brojën ka sinjale pozitive se është drejt rikuperimit të plotë, mungesa e informacionit të detajuar për kohëzgjatjen e rikuperimit të Dakut dhe Manajt ka krijuar pasiguri.
Stafi mjekësor i Kombëtares është në kontakt të vazhdueshëm me klubet respektive për të vlerësuar nëse sulmuesit do të jenë të gatshëm për grumbullimin e javës së ardhshme, apo nëse Silvinjos do t’i duhet të kërkojë alternativa të reja për repartin ofensiv.






