
Pjesa e parë e sfidës mes Skënderbeut dhe Apolonisë është mbyllur nën tension dhe polemika të forta arbitrimi.
Me rezultatin e barabartë 1-1, në minutën e 43-të, Mario Beshiraj arriti të dërgonte topin në rrjetë, por festa e korçarëve u ndërpre nga sinjalizimi i asistentit të parë, Rexhep Muzhaqi, për pozicion jashtë loje.
Klubi i Skënderbeut kontestoi ashpër vendimin, duke pretenduar se anulimi i golit ishte i padrejtë dhe se asistenti u vonua në sinjalizimin e tij.
Protestat çuan në ndëshkimin me karton të verdhë të Gentjan Liços dhe Ardi Gjancit nga kryesori Erjon Bylykbashi. Në këtë ndeshje nuk ka prani të sistemit VAR, duke e lënë fatin e episodit vetëm në dorën e gjykimit.





