
Tirana ka njoftuar nëntë largime nga ekipi. Eksodi te bardheblutë, që ishte njoftuar prej ditësh, ndërsa tani është zyrtarizuar edhe nga klubi.
“Tirana njofton largimin e këtyre futbollistëve nga organika e tyre, Dembele, Junior, Valerianos, Soler, Gjumsi, Tola, Kozi, Patsatsia dhe Fernandez. Këto ndryshime janë realizuar me marrëveshje të përbashkët, me qëllim që të sigurohet përgatitja e plotë për sfidat e ardhshme. Me skuadrën tashmë të riorganizuar, fokusi ynë mbetet tek performanca, uniteti dhe rezultatet”, shkruan klubi.
Prej javës, klubi kryeqytetas ka nisur një plan për revolucion total në merkaton e dimrit. Vendi i fundit në renditje dhe rreziku i madh për rënien nga kategoria, ka bërë që drejtuesit të marrin vendime drastike.
Përveç kësaj, Tirana ka ndryshuar edhe tre trajnerë deri tani. Sezoni nisi me Vangjel Milen, i cili u pasua nga Roberto Bordin dhe pak javë më parë u emërua Ardian Nuhiu.
Te Tirana priten afrime të shumta në merkaton e dimrit, në çdo repart. Lëvizjet do të bëhen me punën e drejtorit sportiv të ri, Omer Bunjaku, i cili mori këtë post në muajin shtator, pasi kishte nisur kampionati.





