
Klubi i Ilirisë ka mbyllur procesin e përzgjedhjes së trajnerit të ri për pjesën e dytë të sezonit në Kategorinë e Parë, duke zgjidhur dilemat në lidhje me drejtimin e pankinës së skuadrës së Fushë-Krujës. Pas largimit të teknikut Dritan Ismajli, drejtuesit kanë vendosur t’ia besojnë ekipin një emri të ri, me synimin për të stabilizuar situatën sportive dhe për të përmbushur objektivat e sezonit.

Matias Tatanxhelo është prezantuar zyrtarisht si trajneri i ri i Ilirisë. Tekniku italo-argjentinas merr drejtimin e skuadrës në një moment të rëndësishëm të kampionatit, ku prioritet mbetet sigurimi i mbijetesës në Kategorinë e Parë, por njëkohësisht edhe afrimi me zonën e ekipeve që luftojnë për ngjitjen në elitë. Emërimi i tij është bërë publik përmes një njoftimi zyrtar të klubit, ku theksohen objektivat e qarta për vazhdimin e sezonit.
Sa i përket karrierës së tij, Tatanxhelo ka eksperiencë në kampionatin shqiptar. Gjatë vitit të fundit ai ka drejtuar në dy etapa të ndryshme skuadrën e Shirokës, ndërsa për disa muaj ka qenë edhe trajner i Apolonisë, gjithashtu në Kategorinë e Parë, në fundin e sezonit 2024–2025.




