Berat Gjimshiti
Milani është një nga klubet më aktive sa i përket merkatos në Itali. Kuqezinjtë kanë pësuar ndryshime të shumta, në të gjithë sektorët.
Drejtor sportiv u emërua shqiptari Igli Tare, i cili zgjodhi si trajner Massimiliano Allegrin. Tare ia doli të marrë edhe një tjetër shqiptar te kuqezinjtë, si Ardon Jashari nga Club Brugge.
Megjithatë numri i shqiptarëve te Milani mund të shkojnë në tre. Sipas asaj që raportohet nga Italia, mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti, është opsion për mbrojtjen e “djallit”.
Milani mund të humbasë Malick Thiaw në këtë merkato vere, me interesime nga Italia, por edhe nga Premier League, aty ku janë të gatshëm të plotësojnë kërkesat financiare të klubit.
Në rast se shitet mbrojtësi gjerman, te Milani do të nisë puna për të gjetur një mbrojtës të ri. “La Gazzetta dello Sport” raporton se dy alternativa janë lojtarët e rinj, Comuzzo dhe Leoni, por jo vetëm kaq.
Për mbrojtjen përmendet edhe Berat Gjimshiti, i cili shpesh është përfolur për një largim të mundshëm nga Atalanta këtë verë. Shqiptari ka eksperiencën e duhur dhe mund të jetë një zgjidhje ideale për Milanin, edhe për shkak se e njeh kampionatin italian.
/tvklan.al







