Skip to content
VETËM SPORT

VETËM SPORT

Vetem Sport – Informohu shpejt dhe saktë! Aty ku sporti jeton, asgjë tjetër.

Primary Menu
  • Kampionati
  • Bota
  • Kombëtarja
  • Kosova & Rajoni
  • Të Tjera
  • Video
  • Bota

Ceferin me mesazh të fortë: T’i largojmë këta idiotë, në Shqipëri mund të organizohet…

VETEMSPORT 11.09.2025 5 minutes read
Presidenti-Duka-dhe-ceferin-interviste-1024x683

Në “Shtëpinë e Futbollit” u zhvillua sot festivali i futbollit si pjesë e aktivitetit “Futbolli në Shkolla” të UEFA-s, me pjesëmarrjen e veçantë të Presidentit të UEFA-s, Aleksander Čeferin, Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe të gjithë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Gjithashtu, në ceremoninë hapëse morën pjesë edhe ambasadorët e UEFA-s Luís Figo dhe Aljoša Asanović, ambasadori i FSHF-së për këtë event Jahmir Hyka, ish-lojtarë dhe personalitete vendase, djem dhe vajza nga shkollat lokale dhe prindër, duke krijuar një atmosferë festive në “Shtëpinë e Futbollit”.

Pas mbërritjes së delegacionit, fëmijët krijuan një korridor mikpritjeje për Presidentin Čeferin dhe Presidentin Duka.

Aktiviteti vijoi me një ndeshje futbolli, ku pjesë e ekipeve ishin Presidenti Čeferin, Luís Figo, Aljoša Asanović, trajneri i Kombëtares shqiptare Silvinjo, dy zëvendës-trajnerët Zabaleta dhe Doriva, Jahmir Hyka dhe fëmijët nga shkollat lokale, duke përcjellë mesazhin se futbolli, sporti më i dashur në botë, është për të gjithë.

Pas përfundimit të ndeshjes, Presidenti i UEFA-s Aleksander Čeferin dhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka folën për mediat shqiptare që mbuluan këtë aktivitet shumë të rëndësishëm në prag të mbledhjes historike të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë.

Në fjalën e tij përpara mediave shqiptare, Presidenti i UEFA-s nënvizoi se futbolli duhet t’i bashkojë njerëzit dhe jo t’i përçajë. Ai theksoi se duhet të qëndrojnë larg futbollit njerëzit që e përdorin këtë lojë për të përhapur idetë e tyre të kota. “Mesazhi im , jo vetëm për një ndeshje të caktuar, por për të gjithë është se futbolli dhe sporti duhet të jenë gjëja që bashkon njerëzit dhe jo që i përçan. Ne duhet të përpiqemi të largojmë këta ‘idiotë’ që e përdorin futbollin për ideologjitë e tyre absurde. Kudo, jo vetëm në një vend, por në të gjitha vendet. Sepse këta njerëz nuk e duan futbollin. Ata duan vetëm veten e tyre dhe e shfrytëzojnë futbollin për të përhapur idetë e tyre të kota”.

I pyetur se pse pritën kaq gjatë për të zhvilluar mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë, kreu i qeverisë së futbollit europian tha: “Nuk na mori shumë kohë. Mendoj se kjo është mbledhja e tretë ose e katërt që bëjmë jashtë Zvicrës. Çdo shtator ne shkojmë në vende të ndryshme. Mendoj se keni një medalje bronzi tani dhe kjo është diçka shumë e mirë”.

Presidenti Ceferin vlerësoi infrastrukturën e futbollit në Shqipëri, veçanërisht stadiumin kombëtar. Sa i përket projekteve që UEFA ka për Shqipërinë, ai tha se duhet folur me Presidentin Duka dhe për momentin nuk mund të flasë për diçka konkrete. “Duhet të flisni me Presidentin e FSHF-së për këtë. Por infrastruktura juaj dhe veçanërisht stadiumi kombëtar është shumë i bukur. Mund të organizojmë diçka këtu, por për momentin nuk do të ishte e drejtë nga ana ime të flisja për diçka konkrete. Nga njëra anë, ka një proces aplikimi dhe nga ana tjetër, aktualisht nuk e di. Di vetëm që keni infrastruktura është shumë e mirë dhe kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Armandin, gjë që ndihmon shumë”.

Në fund, shefi i futbollit europian dha edhe një këshillë për lojtarët e rinj në të gjithë Europën dhe nënvizoi se ata duhet të qëndrojnë sa më gjatë në kampionatet vendase. “Do t’u jepja një këshillë të gjithë lojtarëve të rinj, jo vetëm në Shqipëri. Të punojnë, të punojnë dhe të punojnë. U them të qëndrojnë sa më gjatë në kampionatet vendase sepse është më e lehtë ta provosh veten në një ligë vendase dhe më pas të shkosh jashtë. Shumë lojtarë gabojnë kur largohen në moshën 16-17 vjeçare në klube të mëdha dhe në fund karriera e tyre përfundon para kohe. Prandaj ata duhet të shijojnë futbollin dhe të stërviten sa më shumë”.

Presidenti Duka e nisi prononcimin me një falënderim të veçantë për Presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar e cilësoi këtë moment historik si një vlerësim i punës së madhe të bërë nga komuniteti i futbollit në vend për zhvillimin e futbollit në Shqipëri.

“Do të doja të falënderoja publikisht Presidentin e UEFA-s, z. Aleksander Čeferin, për vendimin që mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të bëhet në Tiranë. Ky është një vlerësim jo vetëm për Federatën e Futbollit, por për të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar. Një vlerësim i bashkëpunimit të Federatës së Futbollit me UEFA-n dhe respekt i punës së komunitetit të futbollit shqiptar. Nuk është thjesht një mbledhje, është një event duke përfshirë edhe aktivitetin e sotëm, festivalin e futbollit ku besoj se në memorien e fëmijëve do të mbetet gjatë dhe do të jetë një objektiv më shumë për t’iu bashkuar lojës tonë”, – tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Post navigation

Previous: Dënim i rëndë dhe heqje pikësh, Chelsea me akuza “bombë”
Next: “Festë” në kryeqytet! Pas Tiranës edhe klubi tjetër do luajë në “Selman Stërmasi”

Të ngjashme

inter milan
  • Bota

Milani mposht Interin, zbulohen ekipet më të ndjekura në stadium

VETEMSPORT 24.02.2026
futbollisti
  • Bota

VIDEO/ I propozoi në stadium, futbollisti ndahet nga partnerja pas 3 ditësh

VETEMSPORT 24.02.2026
var
  • Bota

E pazakontë/ Po shante VAR-in, burri sulmohet me thikë nga gruaja

VETEMSPORT 23.02.2026

Follow

  • Facebook
  • YouTube
  • TikTok

Çfarë ke humbur?

samir mane
  • Kampionati

EKSKLUZIVE/ Zbulohet cilin klub mund të blejë Samir Mane në Shqipëri

VETEMSPORT 25.02.2026
armand duka dhe samir mane
  • Kampionati

Samir Mane blen klubin e futbollit? E zbulon Duka: Je më i miri në Shqipëri…

VETEMSPORT 25.02.2026
tolaj
  • Kombëtarja

E BUJSHME/ Celtic tenton sulmuesin shqiptar, Silvinjo nuk e llogarit në Kombëtare

VETEMSPORT 25.02.2026
MERKURI
  • Të Tjera

Tragjike në Itali! Futbollisti shqiptar i jep fund jetës, zbulohet arsyeja

VETEMSPORT 25.02.2026

Developed by

Copyright © All rights reserved. | MoreNews by AF themes.