
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, po kalon një periudhë rënieje në vlerën e tij të tregut sipas përditësimeve të fundit nga platforma e specializuar “Transfermarkt”.
Vlera e kartonit të 24-vjeçarit ka pësuar një zbritje prej 2 milionë eurosh, duke shkuar nga 10 milionë në 8 milionë euro. Ky është niveli më i ulët i vlerësimit për sulmuesin që prej moshës 19-vjeçare, duke shënuar një distancë të madhe nga viti 2022, kur vlera e tij te Chelsea arriti kulmin prej 30 milionë eurosh.
Kjo rënie e pozicionon Brojën në vendin e pestë në listën e futbollistëve më të shtrenjtë të kuqezinjve. Renditja aktualisht udhëhiqet nga Anis Mehmeti me 14 milionë euro, i ndjekur nga Kristjan Asllani me 13 milionë, Ernest Muçi me 11 milionë dhe Mirlind Daku me 10 milionë euro. Faktori kryesor që ka ndikuar në këtë zhvlerësim lidhet me aktivizimin e paktë dhe dëmtimet e shpeshta që kanë shoqëruar lojtarin gjatë kohëve të fundit.
Aktualisht, sulmuesi është i dëmtuar dhe ka munguar në sfidat e fundit të ekipit të tij, Burnley. Situata e tij mbetet shqetësuese edhe për stafin teknik të Kombëtares, pasi Shqipëria do të përballet me Poloninë në fazën “Play-Off” për Botërorin 2026 pas pak javësh. Mungesa e një date të saktë për rikthimin e tij në fushë shton pasigurinë nëse ai do të jetë pjesë e planeve të trajnerit Sylvinho për këtë duel vendimtar.






