
Transferimi i Antonio Delajt te Skënderbeu ka dështuar për shkak të rregulloreve të federimit të lojtarëve.
Megjithëse mesfushori 22-vjeçar u zyrtarizua si huazim nga Elbasani më 16 janar, sistemi i federimit nuk ka lejuar kalimin e tij te korçarët.
Shkak është bërë aktivizimi i lojtarit me dy klube të ndryshme përgjatë sezonit aktual: fillimisht me Vllazninë në ndeshjet europiane gjatë verës dhe më pas me Elbasanin në kampionat.

Sipas rregullores së FIFA-s, një futbollist nuk mund të luajë për më shumë se dy klube brenda një sezoni futbollistik. Si rrjedhojë, Delaj është i detyruar të qëndrojë te Elbasani deri në fund të sezonit, pasi një lëvizje e tretë është e pamundur ligjërisht.
Ndërkohë, opsioni i vetëm tjetër do të ishte rikthimi te Vllaznia, por klubi shkodran nuk ka shprehur interes për shërbimet e tij.






