
Ernest Muçi vazhdon të jetë shqetësimi kryesor i stafit teknik te Trabzonspori. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, i cili luan i huazuar nga Besiktas, nuk do të jetë i gatshëm as për ndeshjen e radhës kundër Alanyaspor, e cila është programuar të luhet më 11 prill.
Ky është takimi i dytë radhazi që Muçi humbet, pasi mungoi edhe në përballjen e javës së kaluar kundër Galatasaray-t për shkak të dëmtimit të pësuar.
Përveç problemit fizik, trajneri Fatih Tekke duhet të bëjë llogaritë edhe me situatën disiplinore të lojtarit. Prej kohësh, Muçi ndodhet në limitin e kartonëve të verdhë dhe në momentin që do të kthehet në fushë, rrezikon pezullimin me një ndeshje në rast të një ndëshkimi tjetër.
Mungesa e tij vjen në një moment kritik për Trabzonsporin, që është i angazhuar në garën për kreun e renditjes në Superligën turke.






