
Andrea Agostineli, ish-lojtar i Lacios dhe i Napolit, si dhe ish-trajner i disa skuadrave shqiptare si Partizani, Skënderbeu dhe Flamurtari, ka ndarë një rrëfim prekës për jetën e tij profesionale dhe personale në një intervistë për mediat italiane. Në moshën 68-vjeçare, ai kujton periudha të rëndësishme të karrierës dhe ngjarje të dhimbshme familjare që e kanë shoqëruar përgjatë viteve.
Pas sezonit të fundit në Shqipëri, ku drejtoi Flamurtarin dhe e riktheu ekipin në Superiore pas pesë vitesh mungesë, Agostineli vendosi të largohej për shkak të mospërputhjes së ideve me drejtuesit e klubit. “Kishim sulmin dhe mbrojtjen më të mirë, por ndamë rrugët për shkak të ndryshimeve në pikëpamje. Kam qenë trajner për më shumë se 30 vjet dhe jam ende po aq i uritur sa në fillimet e mia. Kur dal në fushë, transformohem”, tregoi ai.
Përveç eksperiencave në Itali dhe Shqipëri, Agostineli ka provuar edhe aventurën e largët në Afrikë, duke stërvitur skuadrën Gudja United në Kongo. Ai kujton stërvitjet 50 kilometra larg Kinshasës, në mes të savanës, dhe aftësinë e tij për të dalluar shpejt lojtarët me potencial të madh. “I shoh djemtë dhe kuptoj menjëherë kush mund të shndërrohet në një ‘bishë’ në fushë”, u shpreh trajneri.
Megjithatë, pasionit për futbollin i qëndron pranë një plagë e thellë personale. Në vitin 2014, djali i tij Gianmarco u nda nga jeta në një hotel në Montecatini, në moshën 33-vjeçare. “Kur përjeton një tragjedi të tillë, je gjysmë i vdekur. Një pjesë e zemrës nuk shërohet kurrë. Nuk është e drejtë që fëmija të largohet para prindit. Dhimbja nuk ikën, vetëm mëson ta menaxhosh. Koha nuk fshin asgjë,” rrëfen Agostineli me trishtim.
Policia gjeti drogë në dhomë, një fakt që ai e konfirmon me dhimbje. Gianmarco e kishte nisur përdorimin e substancave në vitin 2003, periudhë kur Agostineli ishte trajner i Napolit. “Asnjëherë nuk kishim pasur asnjë lloj droge apo cigareje në shtëpi. Kur morëm vesh, ai tha: ‘Të gjithë e bëjnë këtë’. E dërguam në qendër rehabilitimi, madje arriti të luante në Serie C2. Por shpesh e pyes veten: ‘Po sikur të mos e kisha lënë vetëm atë natë?’”, kujton ai mes lotësh.
Përtej tragjedive, Agostineli ruan kujtime të gjalla nga periudha e tij si lojtar te Lacio. Ai përshkruan një ambient të mbushur me energji, ku shpesh ndodhnin edhe përplasje mes shokëve të skuadrës, por në fund të javës të gjithë bashkoheshin për të fituar. Një episod i veçantë i ka mbetur në mendje: “Njëherë gjatë një udhëtimi me autobus pashë disa lojtarë që po mbushnin armët. U tremba. Pastaj kuptova që ishte një shaka, sepse sipër nesh po fluturonte shoku ynë Gigi Martini, i cili ishte pilot. Filluan të qëllonin në ajër, ndërsa mua më ngriu gjaku.”