
Lirim Kastrati i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale në Kosovë, pas dëmtimit të rëndë të pësuar në ligamentin e gjurit të djathtë gjatë ndeshjes ndaj Egnatias.
Ndonëse sulmuesi i Vllaznisë tentoi fillimisht të rikthehej në fushë pa operacion, shkalla e dëmtimit e bëri të pashmangshme ndërhyrjen nga specialistët.
Periudha e rikuperimit pritet të zgjasë rreth gjashtë muaj, çka do të thotë se lojtari do të jetë i gatshëm për lojë vetëm në sezonin e ardhshëm.
Pavarësisht kësaj mungese të gjatë, drejtuesit e klubit shkodran kanë vendosur të aktivizojnë klauzolën për rinovimin automatik të kontratës së tij.
Ky vendim tregon besimin e kuqebluve te cilësitë e Kastratit, duke i garantuar atij qëndrimin në skuadër edhe për vitin tjetër. Mbetet të shihet nëse lojtari do të japë dritën jeshile për qëndrimin në ekip, diçka që duket thuajse e sigurt, duke parë lidhjen e tij me klubin dhe qytetin.




