
Mesfushori Valentino Murataj ka mbyllur zyrtarisht bashkëpunimin me klubin e Flamurtarit, duke ndërprerë kontratën që ishte e vlefshme deri në fund të këtij sezoni.
Pas një periudhe prej një viti e gjysmë në Vlorë, lojtari pritet të zyrtarizojë rikthimin e tij te Partizani brenda pak orësh.
Murataj kishte tentuar rikthimin te të kuqtë edhe gjatë merkatos së verës, por në atë kohë drejtuesit e Flamurtarit nuk dhanë miratimin për largimin e tij. Tashmë që palët kanë arritur marrëveshjen për ndarjen, mesfushori është i lirë të bashkohet me ish-ekipin e tij, ku më parë ka fituar edhe titullin kampion.
Ai u largua nga Partizani në verën e vitit 2024 për t’u bërë pjesë e projektit të vlonjatëve në Kategorinë e Parë. Ky transferim pritet të përforcojë organikën e kryeqytetasve për pjesën e mbetur të kampionatit.






