
Kombëtarja shqiptare po përgatitet për njërën prej përballjeve më vendimtare të viteve të fundit, sfidën e transfertës kundër Polonisë më 26 mars, e vlefshme për fazën “Play-Off” të Kupës së Botës 2026. Ndërsa trajneri Silvinjo po harton listën e lojtarëve të grumbulluar, një nga lojtarët që pret ftesë është edhe Stiven Shpendi, të cilin së fundmi e ka ndjekur fati i keq, duke pësuar një dëmtim.
Futbollisti që aktivizohet me Empolin në Serie B nuk ishte pjesë e skuadrës në ndeshjen e fundit kampionale kundër Catanzaros. Shkak për këtë mungesë është bërë një dëmtim muskulor në kofshë, të cilin lojtari e ka pësuar gjatë seancave stërvitore me ekipin italian.
Ky incident vjen në një moment mjaft delikat, kur çdo lojtar synon të jetë në formën më të mirë për t’u përzgjedhur në listën e kuqezinjve për ndeshjet eliminatore.
Gjatë ditëve në vijim, Shpendi do t’u nënshtrohet ekzaminimeve të hollësishme mjekësore për të përcaktuar shkallën e saktë të dëmtimit dhe kohën e nevojshme për rikuperim. Edhe pse stafi mjekësor i Empolit po monitoron situatën, mbetet ende në dyshim nëse sulmuesi do të arrijë të jetë gati për grumbullimin e parashikuar pas pak javësh.






