
Kampi i Vllaznisë është në ankth pas dëmtimit të sulmuesit kryesor, Lirim Kastrati, gjatë sfidës së fundit ndaj Egnatias në Rrogozhinë.
27-vjeçari u detyrua të linte fushën e lojës në fundin e pjesës së parë, pas një kontakti që menjëherë sinjalizoi probleme serioze për stafin mjekësor. Reagimi i futbollistit dhe pamundësia për të vazhduar lojën kanë ngritur dyshime për një lëndim jo të lehtë, i cili mund ta mbajë ish-lojtarin e Dinamo Zagreb jashtë fushave për disa javë, ndërsa rrezikohet edhe mbyllja e sezonit.
Për trajnerin, ky skenar do të ishte një goditje e rëndë, duke pasur parasysh se Kastrati është një nga pikat më të forta të repartit ofensiv falë shpejtësisë së tij.
Vllaznia ndodhet në një fazë vendimtare të sezonit ku çdo pikë peshon shumë për objektivat e klubit. Diagnoza përfundimtare pritet të dalë në fillim të kësaj jave, pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore që do të përcaktojnë shkallën e dëmtimit dhe kohën e saktë të rikuperimit.
Shpresat në Shkodër janë që gjithçka të jetë vetëm një alarm fals dhe “shigjeta” kosovare të rikthehet sa më shpejt nën urdhrat e stafit teknik.





