
Kombëtarja shqiptar ka marrë një lajm të keq, në prag të grumbullimit për duelin ndaj Polonisë. Rey Manaj nuk do të jetë pjesë e ekipit kuqezi, pasi ka mbyllur sezonin para kohe.
Klubi turk Sivasspor konfirmoi se lojtari ka pësuar një dëmtim serioz në muskulin e pasmë të kofshës së majtë gjatë ndeshjes kundër Umraniyespor.
Ekzaminimet mjekësore treguan një çarje të shkallës 3c të tendinit dhe gjakderdhje të brendshme, dëmtim ky që kërkon të paktën dy muaj pushim.
Kjo do të thotë se lushnjari do të humbasë zyrtarisht përballjen e 26 marsit në Varshavë, duke i prishur planet trajnerit Silvinjo. Mungesa e tij vjen në një moment forme të shkëlqyer, ku Manaj ishte pika referuese e sulmit në kampionatin turk.
Stafi teknik i Shqipërisë duhet të gjejë tani një zëvendësues për të mbuluar boshllëkun e lënë në repartin ofensiv. Ky lajm shton vështirësitë për përfaqësuesen tonë në rrugëtimin drejt “play-off” të Botërorit 2026.
Tashmë pritet të shihet se cili do të jetë sulmuesi që do të mbajë peshën kryesore në Varshavë në mungesë të yllit të Sivasspor.






