
Shqipëria ndodhet përpara një mundësie historike për t’u kualifikuar për herë të parë në Kupën e Botës, me një fitore ndaj Serbisë që do ta çonte në vendin e dytë të grupit. Përballë saj, Serbia po kalon një periudhë jo të mirë sportive, e shoqëruar edhe me një krizë të brendshme politike dhe shoqërore. Prej javësh, vendi është tronditur nga protesta të vazhdueshme për largimin e presidentit Aleksandër Vuçiç, ndërsa figura të njohura si Novak Djokovic janë distancuar nga pushteti. Situata e tensionuar është reflektuar edhe në stadiume, ku në ndeshjen Serbi–Angli pati përplasje mes tifozëve dhe u shkelën rregullat e sigurisë. Për këtë arsye, pritet që FIFA të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë.
Vuçiç ka dalë publikisht duke kërkuar që ndeshja ndaj Shqipërisë të zhvillohet në Leskovac, duke kritikuar Federatën e Futbollit të Serbisë për vendimin që sfida me Anglinë të luhej në Beograd. Sipas tij, kryeqyteti nuk ofron kontroll dhe tifozët nuk mbështesin kombëtaren siç duhet, duke shtuar se atmosfera në Leskovac do të ishte më e favorshme. Ai ka theksuar gjithashtu se edhe në rast humbjeje ndaj Shqipërisë, do të vazhdojë të mbështesë ekipin.
Vuçiç ka përmendur presionin e ambasadës britanike si arsye për zhvillimin e ndeshjes me Anglinë në Beograd, duke pranuar se ky ishte një gabim. Ai ka shtuar se shpreson që në ndeshjen me Shqipërinë, edhe nëse lejohet një numër i kufizuar tifozësh, atmosfera të jetë pozitive dhe në mbështetje të kombëtares serbe.
Madje ai përmendi edhe një humbje të mundshme ndaj Shqipërisë.
“Do të shkoj në Leskovac kundër Shqipërisë nëse mundem, nëse jam në Serbi, as nuk e di se kur është ndeshja. Do të shkoj për të mbështetur ata djem. Edhe nëse humbasin 1-0 ndaj Shqipërisë dhe nëse humbasin 2-0, do t’i mbështes deri në momentin e fundit, derisa të fitojnë 3-2. Ose edhe nëse nuk fitojnë, nuk kemi se çfarë të bëjmë.
Stojkovic duhej t’i motivonte më mirë lojtarët dhe të vendoste taktika më të mira. Por unë nuk mund ta kritikoj dhe sulmoj sepse e di sa shumë i dha futbollit serb dhe Serbisë. Nuk jam unë ai që mund ta kritikoj, si një tifoz i zakonshëm që nuk di asgjë për futbollin. E pyeta sekretarin e Federatës tonë që përse e latë ndeshjen me Anglinë në Leskovac? Federata jonë nuk mundi t’i rezistonte presionit të ambasadës britanike, Anglia e donte ndeshjen me patjetër në Beograd. Zvicra dhe Danimarka vinin dikur në Leskovac, pranuan të vijnë atje, por anglezët nuk donin të vinin. I thashë që ta zgjidhnin vetë, e lanë ndeshjen me Anglinë në Leskovac dhe tani ata thonë se bënë një gabim se duan që të luajnë kundër Shqipërisë në Leskovac. Dhe sigurisht, do të jetë atmosfera më e mirë e mundshme në Leskovac.
Ndoshta do të humbasim, ndoshta do të fitojmë, por do të jetë atmosfera më e mirë e mundshme nëse na lejojnë të kemi një tifoz të vetëm në tribuna për shkak të këtyre shkeljeve të rregullave të tifozëve dhe nuk e di çfarë tjetër, ata do të gjejnë diçka për ne. Nëse do të na lejojnë, do të ketë një atmosferë të mrekullueshme në Leskovac. Të paktën njerëzit do të brohorasin për Serbinë. Me gjithë forcën dhe me gjithë zemrën e tyre”, tha Vucic.