
Mesfushori Mateo Shanaj do të luajë me ekipin e Pogradecit për pjesën e mbetur të sezonit aktual.
24-vjeçari transferohet në formë huazimi nga Partizani, klub me të cilin u bashkua në verën e vitit 2024. Shanaj, i cili numëron 30 paraqitje me të kuqtë, kërkon më shumë minuta aktivizimi në fushën e lojës.

Ai rikthehet në Kategorinë e Parë, ku më parë ka spikatur me skuadrën e Apolonisë. Klubi i Pogradecit e konsideron këtë lëvizje si përforcim të rëndësishëm në mesfushë për objektivin e ngjitjes në elitë.
Ndërkohë, te Partizani pritet të ketë edhe huazime të tjera për lojtarët që kanë pasur hapësira të kufizuara. Së fundmi, dështuan bisedimet për kalimin e Skandër Tahrit dhe Amdi Diallos drejt skuadrës së Luftëtarit.






