
Zyrtari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Florian Riza, ka bërë një deklaratë lidhur me ndryshimet në stolin teknik të kombëtares rumune.
Në emisionin “Mega Sport”, Riza pohoi se ka informacione të sakta se legjenda Gheorghe Hagi do të jetë trajneri i ri i Rumanisë. Ky emërim vjen pas largimit të Mircea Lucescut, i cili u tërhoq nga detyra pas dështimit për t’u kualifikuar në Botërorin 2026 dhe përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.
Sa i përket situatës te Shqipëria, Riza sqaroi se stoli i Shqipërisë do të mbetet nën drejtimin e brazilianit Silvinjo, të paktën deri në korrik. Edhe pse në media ka pasur diskutime mbi të ardhmen e tij, zyrtari i FSHF-së theksoi se kontrata aktuale e trajnerit është e vlefshme deri në korrik të këtij viti.
“Gheorge Hagi do të jetë trajneri i ri i kombëtares rumune. Kam informacione shumë të sakta për këtë. Përsa i takon Shqipërisë, ne e kemi trajnerin. Trajneri ynë do të jetë Silvinjo, kontrata e të cilit skadon në korrik”, deklaroi Riza.







