
Menaxheri i njohur Sokol Haxhia ka zbuluar një prapaskenë të merkatos së futbollit, duke treguar se Armando Broja ka pasur mundësinë të transferohej te Juventusi, por në fund zgjodhi të qëndronte në kampionatin anglez.
I ftuar në Klan News, Haxhia tregoi se kishte marrë autorizimin nga klubi italian për të zhvilluar negociatat me sulmuesin e Kombëtares shqiptare.
Sipas tij, tratativa ishte në një fazë të avancuar dhe parashikonte kalimin e Brojës te Juventusi në formën e huazimit, me të drejtë blerjeje.
“Po, po. Është, domethënë, ka qenë një gjë nga ana e Juventusit e kryer, domethënë unë kisha edhe mandatin, autorizimin e Juventusit për të bërë tratativën me Brojën. Broja ka një agjenci angleze, të paktën në atë periudhë kishte një agjenci angleze që e trajtonte. Unë isha në kontakte me drejtorin sportiv të Juves, domethënë ishte diçka e mbyllur, domethënë nga ai nga çelësi do vinte te Juventusit, i huazim me të drejtë blerjeje dhe ai preferoi, domethënë, të qëndronte në kampionatin anglez, duke refuzuar një që mund të ishte një nga shanset më të mira të jetës së tij”, u shpreh Haxhia.
Megjithatë, transferimi nuk u realizua. Sipas menaxherit sportiv, Broja, i cili në atë periudhë përfaqësohej nga një agjenci angleze, preferoi të vazhdonte karrierën në futbollin anglez, duke mos pranuar mundësinë për t’u bashkuar me gjigantin italian.
Haxhia e konsideroi këtë një mundësi të rëndësishme për karrierën e sulmuesit shqiptar, duke argumentuar se kalimi te Juventusi mund të kishte qenë një nga shanset më të mira të jetës së tij.







