
E ardhmja e trajnerit Francesco Moriero në krye të Flamurtarit varet nga rezultati i ndeshjes së radhës kundër Vorës.
Drejtuesit e klubit vlonjat kanë vendosur një ultimatum për teknikun italian pas humbjes së fundit ndaj Tiranës, e cila e la skuadrën në vendin e parafundit me 18 pikë.
Një rezultat negativ në transfertën e rradhës mund të sjellë ndërprerjen e menjëhershme të bashkëpunimit mes palëve. Në rast të largimit të Morieros, klubi po shqyrton mundësinë e emërimit të dyshes Lejdi Liçaj dhe Andi Ribaj si pasues në drejtim të ekipit.
Të dy ish-futbollistët aktualisht shërbejnë si zëvendëstrajnerë dhe njohin mirë ambientin e brendshëm të skuadrës.
Ky projekt synon t’i besojë drejtimin njerëzve që kanë eksperiencë disavjeçare në stafin teknik të Flamurtarit. Situata mbetet e varur nga performanca e skuadrës në fundjavë. Klubi vlonjat aktualisht ndodhet vetëm një pikë mbi vendin e fundit në renditje.






