
Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka qenë i nervozuar me në episod në pjesën e parë të takimit ndaj Elbasanit, ku theksoi se gjyqtari Xhaja dhe Barjamaj në VAR kishin gabuar duke mos dhënë karton të kuq për Lilën për ndërhyrjen ndaj Ismailit.
“Që të shkosh te goli duhet të ndërtosh një herë siç kemi mënyrën tonë të ndërtimit, kemi provuar të gjithë lojtarët që kemi pasur në dispozicion. Ismailin dua ta përgëzoj për lojën që bëri se e dimë që është mbrojtësi i djathtë dhe do i pranoja çdo lloj gabimi, por ishte e vetmja zgjidhje që kishim, se edhe Lorran në pjesën e dytë u fut i sforcuar meqë doli në ndeshjen e fundit me probleme. Përdorëm Vilën në qendër ku nuk është pozicioni i tij, kjo ka qenë një nga arsyet pse nuk kemi shënuar në këto tre ndeshje. Do të shohim para se dua ta shohim gotën gjysmë plot, se edhe në fazën e parë jemi me një dypikësh mangët, ndërsa në fazën e dytë jemi një pikë mangët. Që do thotë me ardhjen e kontingjentit, si me rikuperimin e lojtarëve të rëndësishëm si Qefalija, të cilin për momentin nuk e zëvendësojmë dot, për momentin do bëjmë më mirë në vazhdimësi.
Besoj që Qefalija me Nezirin fillojnë këtë javë dhe i bashkohen grupit po sigurisht me momente të diferencuar. Të gjithë do thonë, se nuk po reagon njeri, nuk po reagoj për penalltinë, por ajo ndërhyrja kundrejt Ismailit, që për mua ishte gabim, mirë i fushës që nuk i sheh se me ne nuk i sheh, por edhe ai i VAR që është… Ai është mjekuar dhe ndaj dolëm dy minuta më vonë në pjesën e dytë, nuk e di a rikuperohet. Jepe penallti, po nuk kam çfarë iu them lojtarëve. Nëse i them përgjigju në të njëjtën mënyrë, jemi ekipi që kemi marrë më shumë të kuq. E kemi pjesën e arbitrimit, por merrni ato në studio e shihni çfarë ndërhyrje, në minutën e 44. Ne kemi dalë me të kuq me një rast e kapi Aliji me majë apo jo dhe ai dhe është nxjerrë me të kuq, ndërsa kjo është direkt goditje në nivelin e gjurit. Shyqyr që nuk e goditi në gju po në trinë, se mund ta bënte që të linte futbollin.
Nuk do e kisha përmendur, nuk po përmend penalltinë në favor apo jo, por nuk kam çfarë t’u them lojtarëve në momentin kur është ajo lloj ndërhyrje. T’i them përgjigjuni në të njëjtën mënyrë, e di që mbetemi me pak veta. Nuk i mbroj dot lojtarë t mi, kur nuk i mbron një arbitër në fushë, që mbajnë familjet me atë punë, nuk i mbron as një arbitër i ulur shumë mirë atje në karrigen e VAR-it. Çfarë t’u them unë lojtarëve aty? Kështu që vazhdo me pjesën tjetër. Nuk po bëj ndërhyrje për penalltinë, por në momentin që do të kishte vendosur edhe këmbën tjetër, rrezik kur do bëhej për të luajtur futboll.
Sigurisht që Gudiabi është një lojtar që bën mirë numrin 6, por për kohë presingu të largët, nuk ka aftësi motorike për ta bërë një gjë të tillë. Në momentin që spostohej Vila, një lojtar sulmues, se nuk kishim tjetër… Edhe me ndërrimet që bëmë e kaluam Lorran aty, nuk e bënin dot presingun lart. Shoqërimi i Gudiabit me Vilën për të shkuar të mbrojtësi i djathtë ishte i vonshëm dhe ata ndryshonin krahun e lojës. Vendosëm të ndryshojmë sepse kjo gjë nuk na jepte efiçencë me mbështetjen e Gudiabit dhe kthimin para mbrojtjes.
U bë sikur ne nuk ishim në fushë, problemi është që pësuam gol që në minutat e parë me një mbyllje gabim që justifikohet Ismaili se nuk është i majtë, nuk është njëlloj. Kemi pasur edhe ne rastet tona, kishim me Berishën, kishim disa të tjera, që për një pasim të fundit mund të shkonim drejt golit.
Në mesin e fushës i kishim të gjitha zëvendësimet që përmenda. Sepse dihet që ne themi që qendra e mesit të fushës është thembra e Akilit dhe aty duhej të kishim bërë më mirë, i tentuam të gjitha dhe mungesa e lojtarëve natyral të atij pozicioni bëmë që sot të mos kishim zgjidhje të tjera alternative.
Edhe Qardaku, edhe Lorran, kanë pasur pas ndeshjes dy ditë terapi dhe pushim. Sot i kishim në pankinë për t’i përdorur disa minuta. Mbas nxemjeve, Qardaku ndjeu shqetësime në pjesën e mbrapme të kofshës dhe nuk e hidhnim dot. Lorran tha që për momentin jam mirë, nuk e vendosëm në krah që të mos bënte shumë metra. Ndaj bëmë zgjidhje në pozicion si 6, që edhe metrat që do të bënte të mos ishin aq shumë sa në krah”, tha Daja për RTSH pas ndeshjes.






