
Partizani vazhdon punën për trajnerin e ri. Pas mbylljes së një sezoni të komplikuar, ku dështimi për të siguruar një vend në fazën “Final Four” dhe mbetja jashtë kompeticioneve europiane solli pasoja të menjëhershme, drejtuesit e kuq po punojnë me intensitet të lartë për të gjetur timonierin e ri. Emri i fundit që ka dalë në skenë si një alternativë serioze është ai i ish-futbollistit, Bledi Shkëmbi.
Sipas raportimeve të fundit, 46-vjeçari korçar shihet si një nga opsionet më të mundshme për të marrë drejtimin e “Demave të Kuq”. Megjithatë, kjo lëvizje nuk është aq e thjeshtë për t’u zyrtarizuar. Drejtuesit e lartë të Partizanit nuk e kanë fshehur dëshirën për një rikthim të mundshëm të teknikut kroat Zoran Zekiç, një figurë e pëlqyer në kampin kryeqytetas. Por, situata rreth Zekiç mbetet tejet e ndërlikuar, pasi për shërbimet e tij ka shfaqur një interes edhe klubi i njohur i Sarajevës, çka shton konkurrencën në aspektin financiar dhe profesional.

Pengesa me Strugën dhe statistikat në Maqedoninë e Veriut
Përpara se të ulet në bisedime zyrtare me Partizanin, Bledi Shkëmbi duhet të zgjidhë një nyje kontraktuale jo të vogël. Gjatë verës së kaluar, tekniku nënshkroi një marrëveshje dyvjeçare me opsion rinovimi edhe për një edicion tjetër me skuadrën e Strugës në Maqedoninë e Veriut. Nën drejtimin e tij, Struga e nbylli sezonin në vendin e tretë dhe duke mbeter jashtë zonës europiane. Kjo erdhi pasi Shkëndija e Tetovës humbi finalen e Kupës përballë Sileksit, duke prishur planet e Strugës.
Pavarësisht mbetjes jashtë Europës, mesatarja e pikëve të grumbulluara nga Bledi Shkëmbi te Struga ishte e lartë, duke arritur në 1.94 pikë për ndeshje në kampionat, megjithëse fati nuk ishte në anën e tij në momentet deçizive.
Lidhja me Agim Ibraimin dhe efekti zinxhir në Superiore
Nëse ky transferim realizohet, për Shkëmbin do të ishte një rikthim i rëndësishëm në kampin e kuq, ku ka kontribuuar si lojtar në sezonin 2007/08. Për më tepër, një faktor kyç në këtë operacion është prania e Agim Ibraimit në rolin e drejtorit sportiv te Partizani. Të dy kanë bashkëpunuar te Tirana gjatë sezonit 2024/25, në një projekt që ngjalli shumë interes në atë kohë.
Ndërkohë, sa i përket emrave të tjerë, Julian Ahmataj është skualifikuar përfundimisht si opsion për stolin e Partizanit. Ahmataj raportohet se është shumë pranë marrjes së drejtimit të Skënderbeut, ku si kandidat tjetër ka qenë edhe Oltjon Kërnaja. Ky efekt zinxhir në pankinat e Superiores po dikton ritmin e merkatos.
Vonesat që rrezikojnë projektin e ri të kuq
Skuadra e Partizanit ka mbetur pa një trajner në stol që prej datës 30 prill. Kjo periudhë pa një trajner zyrtar po kthehet në një problem serioz administrativ. Shumë lojtarë të rëndësishëm të organikës aktuale janë në fundin e kontratave të tyre dhe procesi i rinovimeve apo i afrimeve të reja ka ngecur. Pa një strateg, i gjithë projekti për sezonin e ardhshëm rrezikon të komprometohet, duke krijuar një hendek të madh në përgatitjet e skuadrës për t’u rikthyer te trofetë.




