
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka hedhur një propozim që pritet të shkaktojë debate të mëdha: lojtarët që mbulojnë gojën gjatë përplasjeve me kundërshtarët mund të përjashtohen direkt nga fusha.
Ky rregull i ri ka synim kryesor luftën kundër racizmit dhe fyerjeve të rënda, të cilat shpesh fshihen pas duarve të lojtarëve për të shmangur leximin e buzëve.
Shkak për këtë diskutim në mbledhjen e fundit të IFAB (Bordit Ndërkombëtar të Futbollit) u bë rasti i fundit në Champions League, ku Vinicius Junior pretendoi se u fye në mënyrë raciste nga lojtari i Benficas, Gianluca Prestianni. Sipas Infantinos, nëse një lojtar mbulon gojën, ekziston supozimi se ai po thotë diçka që nuk duhet.
“Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, nuk e mbulon gojën. Është kaq e thjeshtë. Duhet të jemi seriozë në luftën kundër racizmit,” deklaroi kreu i FIFA-s, duke paralajmëruar se masat mund të hyjnë në fuqi që në Botërorin e kësaj vere.





