
Mbrojtësi i Partizanit, David Atanaskoski, do të mbetet jashtë fushave të lojës për rreth dy javë si pasojë e një frakture në brinjë.
Pas mungesës në sfidën ndaj Vllaznisë, analizat e detajuara konfirmuan shkallën e dëmtimit të kapitenit . Lojtari pritet të humbasë ndeshjet e kampionatit kundër Elbasanit dhe Bylisit, me shpresën për t’u rikthyer në çerekfinalen e Kupës më 11 shkurt.

Në mungesë të tij, stafi teknik pritet t’i besojë sërish mbrojtësit Paulo Buxhelaj në krahun e majtë. Ndërkohë, reparti i mesfushës po përballet me mungesat e Adnard Mehmetit dhe Kamer Qakës, të cilët janë prekur nga një virozë.
Pavarësisht situatës, burime nga klubi bëjnë me dije se të dy mesfushorët pritet të jenë gati për sfidën e së shtunës. Në infermieri mbetet edhe Marcelino Preka, i cili do të jetë i padisponueshëm edhe për tri javët e ardhshme.






