
Redon Xhixha u rikthye në Superiore, duke firmosur me Tiranën, pas përfundimit të përvojës së tij me klubin algjerian CR Belouizdad.
Për lojtarin 27-vjeçar ka pasur interesim edhe nga ekipi i Partizanit, i cili kishte nisur kontaktet përpara hapjes së merkatos.
Megjithatë, futbollisti zgjodhi t’i bashkohej Tiranës, duke u bërë pjesë e projektit të ri të presidentit Refik Halili. Në vendimin e tij ka ndikuar njohja e ambientit bardheblu, ku më parë është shpallur kampion i Shqipërisë.
Gjatë periudhës së parë me këtë klub, sulmuesi ka shënuar 32 gola dhe ka dhënë 7 asistime në 55 ndeshje zyrtare. Afrimi i tij shihet si një lëvizje për të forcuar organikën në një moment kur skuadra renditet në zonën e rrezikut.
Ky transferim konsiderohet një sukses i Tiranës në tregun e lëvizjeve kundrejt rivalëve të tyre lokalë. Aktualisht, lojtari pritet të ndihmojë ekipin për të përmirësuar pozicionin në tabelën e klasifikimit.






