
Zv.trajneri i Vllaznisë, Ergi Borshi, e ka cilësuar një masakër, duelin ndaj Elbasanit, që u mbyll në barazim 1 me 1, ku skuadrës shkodrane iu anuluan 2 gola në fundin e sfidës me VAR. Ai gjithashtu pretendon edhe për një karton të kuq të padhënë për vendasit. Në prononcimin e dhënë për “Super Gol”, ai u shpreh:
“Dola sot për respektin e tifozëve shkodranë dhe atyre që kanë parë sot ndeshjen. Sot është bërë një masakër, një padrejtësi në kurriz të lojtarëve të Vllaznisë. Kemi 4 muaj që dalim në stërvitje përditë. Janë këta djem që nuk takojnë familjarët, nuk takojnë niprit dhe mbesat. Jemi përditë në punë. 30 gradë, 40 gradë, shi, borë, diell. Nuk di çfarë të them. Këtu është ngrënë mundi i të gjithë lojtarëve dhe stafit. Nuk e di ku është problemi i Vllaznisë. Nuk e di çfarë i ka bërë Vllaznia, Bajramit dhe Maletës. Ndoshta problemi i Vllaznisë është se jemi shumë në veri të vendit, dhe është larg kryeqyetit. Nuk e kuptoj këtë gjë. Duhen marrë masa.
Ka filluar që te kartoni i kuq për ndërhyrjen ndaj Mehmetit, deri te anulimi i dy golave. Po të kishin mundësi mund të anulonin edhe golin e parë. Mund ta nxirrnin ndeshjen 1 me 0, gjithçka mund të ndodhte. Ndërhyrja ndaj Mehmetit në pjesën e parë ishte 100 % karton i kuq. Kam dalë këtu për respektin tuaj dhe të djemve, për djersën dhe mundin e tyre.
Dua t’i falenderoj gjithsecilin. Sot treguan se kush janë. E thashë që ekipi do fillojë të reagojë. Kaq, nuk kam çfarë them më. Natën e mirë”, deklaroi zv.trajneri Borshi.




