
Partizani ka njoftuar largimin e trajnerit Florin Bratu. Vendimi vjen një ditë pas humbjes në derbi, në atë që ishte disfata e tretë radhazi në kampionat.
Ekipi kryeqytetas ka njoftuar zyrtarisht ndërprerjen e bashkëpunimit me teknikun rumun dhe stafin e tij. Renditja e “Demave të Kuq” në vendin e parafundit detyroi drejtuesit të ndërmarrin masa të menjëhershme.
Drejtimi i seancave stërvitore i është besuar përkohësisht teknikut të Partizanit B, Alfred Deliallisi. Ish-trajneri Bratu mbyll kështu një aventurë të shkurtër e me luhatje në krye të 17 herë kampionëve të vendit.
Njoftimi i klubit
FK Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Florin Bratu dhe pjesëtarët e stafit të tij teknik. Ky vendim vjen si pasojë e rezultateve zhgënjyese të regjistruara në këtë fillim sezoni, të cilat kanë cenuar ndjeshëm objektivat sportivë të klubit.
Seanca e radhës stërvitore do të drejtohet nga Alfred Deliallisi, trajneri aktual i Partizanit B. FK Partizani i uron Florin Bratu dhe stafit te tij suksese në vazhdim të karrierës së tyre sportive.





