
Partizani është në një nga momentet më kritike të epokës “Demi”. Në shtatë javët e luajtura, Partizani ka grumbulluar vetëm 4 pikë, me 1 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje, si dhe një golavarazh negativ 9-17.
Pas humbjes në derbi, Partizani largoi trajnerin rumun Florin Bartu dhe në stol u ul kroati Mislav Karoglan, i cili pati një debutim katastrofik, pasi të kuqtë u mundën 4-1 nga Vora. Golat e pësuar në këtë përballje ishin vërtet amatoreske, ku individë të veçantë duket se shëtisnin në fushë fanellën legjendare të Partizanit.
Por duket se drejtuesit e klubit e kanë gjetur “shkaktarin” e vërtetë të krizës së këtij fillimsezoni, pasi, pas 12 vitesh karrierë dhe kontributi te Partizani, kanë larguar fotografin e klubit. Sipas “Panorama Sport”, Gjergj Kollumbi nuk është më fotografi zyrtar i klubit, pasi atij i është komunikuar ndërprerja e bashkëpunimit dhe humbja e vendit të punës para ndeshjes me Vorën.
Arsyet nuk janë bërë të ditura, por hamendësimet janë të shumta. Nisur nga publikimet e fundit në rrjetet sociale, duket qartë se Kollumbi ka qenë shumë i angazhuar në protestën e studentëve në rrugët e kryeqytetit, ku, falë profesionalizmit të tij, ka shkrepur disa foto pikante.
Pas largimit të trajnerit Bratu dhe stafit rumun, me sa duket, fajtori i radhës për rezultatet e dobëta qenka edhe ish-fotografi. Si për batutë, mbase Kollumbi nuk e ka bërë punën siç duhet për ta dërguar topin në rrjetat kundërshtare dhe për ta shkrepur më pas fotografinë e golit. Sepse, në fund të fundit, kur skuadra nuk shënon, dikush duhet të mbajë përgjegjësi.
Gjithsesi, ajo që po ndodh me fotografin Kollumbi është edhe një ironi fati. Kur bëhej fjalë për “luftë” mediatike apo beteja komentesh në rrjetet sociale, ai ishte ndër partizanët e parë në mbrojtje të markës “Partizani” dhe të punës që bënte. Por ja që vjen një ditë kur, pas 12 vitesh kontributi, klubi e nxjerr në rrugë. Në një skuadër që ka grumbulluar vetëm 4 pikë në 7 javë, që pëson gola me lehtësi dhe që sapo ka ndërruar trajner, duket se fotografia është problemi më urgjent për t’u zgjidhur.







