
Almir Ajzeraj ishte një nga afrimet që ngjalli më shumë interes te Dinamo gjatë merkatos së verës. Futbollisti 28-vjeçar mbërriti te blutë me një profil që premtonte shumë, falë eksperiencës së fituar në futbollin e Kosovës dhe aktivizimit me Dritën në arenën ndërkombëtare.
Transferimi i tij u konsiderua një lëvizje e rëndësishme për projektin e Dinamos, aq më tepër duke pasur parasysh përvojën e lojtarit dhe statistikat që kishte lënë pas në Kosovë. Ajzeraj u largua nga Drita pas një periudhe të gjatë, gjatë së cilës regjistroi 253 ndeshje, 21 gola dhe 35 asistime. Shifra që dëshmonin se bëhej fjalë për një futbollist me eksperiencë, i cili mund të sillte cilësi, kreativitet dhe zgjidhje në fazën sulmuese.
Por, deri më tani, realiteti ka qenë larg pritshmërive fillestare. Ajzeraj nuk ka arritur të marrë një rol të rëndësishëm në ekip dhe minutat e tij kanë qenë me pikatore. Në vend që të shndërrohej në një element të rëndësishëm të repartit ofensiv, futbollisti është përballur me vështirësi për të gjetur vazhdimësinë, duke mos arritur të tregojë ende potencialin për të cilin Dinamo vendosi ta afronte.
Një nga arsyet që ka ndikuar në këtë situatë lidhet me gjendjen fizike të lojtarit. Që në fillim të aventurës së tij te Dinamo, Ajzeraj pësoi një dëmtim gjatë stërvitjes, problem që e pengoi të ishte i gatshëm në disa prej ndeshjeve europiane të skuadrës. Mungesat nuk u kufizuan vetëm në angazhimet ndërkombëtare, pasi futbollisti ka pasur vështirësi të jetë rregullisht në dispozicion edhe në kampionat. Kur një lojtar vjen në një skuadër të re me pritshmëri të larta, periudha e përshtatjes dhe ritmi i ndeshjeve janë elemente thelbësore për të fituar besimin e stafit teknik.





