
Apolonia po kalon një moment të vështirë në startin e këtij kampionati. Pas katër javëve të para, skuadra fierake renditet në fund të tabelës, me vetëm një fitore dhe tri humbje, në një nga nisjet më të dobëta të saj në më shumë se tri dekada aktivitet zyrtar.
Humbja e fundit në Memaliaj ka bërë që drejtuesit e klubit të mblidhen urgjentisht për të analizuar situatën dhe për të marrë masa të menjëhershme. Lëvizja e radhës ka qenë ndryshimi në pankinë, ku pas largimit të trajnerit të përkohshëm Noor Alam, i cili mban edhe detyrën e drejtorit sportiv, dhe më pas të Marenglen Metës, drejtimin e skuadrës ia kanë besuar Santiliano Dules.
Tekniku beratas vjen nga brenda klubit, ku prej tri sezonesh punon me ekipet e moshave. Ai vlerësohet nga drejtuesit dhe sportdashësit fierakë për përgatitjen profesionale dhe, veçanërisht, për punën me talentet e reja. Rezultatet e arritura me moshat dhe zbulimi i futbollistëve premtues, të cilët kanë tërhequr interesimin e klubeve kryeqytetase dhe atyre të huaja, kanë qenë ndër faktorët që i kanë dhënë besimin e drejtuesve.
Në favor të Dules ka ndikuar edhe përvoja e mëparshme në drejtimin e Tomorit, skuadrës së vendlindjes, të cilën e mori në drejtim në moshën 27-vjeçare. Ambicioz dhe me karakter të fortë, ai ishte një kandidaturë potenciale edhe gjatë verës, jo vetëm për Apoloninë, por edhe për Tomorin dhe Naftëtarin.





