
Basania ndihet e penalizuar nga arbitrimi për të dytën javë radhazi. Pas ndeshjes me Tërbunin, edhe sfida e fundit ndaj Veleçikut ka lënë pakënaqësi të mëdha te drejtuesit dhe futbollistët e skuadrës. Dy humbjet radhazi kanë ndikuar në ecurinë e ekipit.
Trajneri Arbër Shytani shprehu hapur pakënaqësitë për vendimet e arbitrave në të dyja sfidat. Pas deklaratave të teknikut, edhe presidenti Ermir Shimaj ka reaguar ashpër përmes rrjeteve sociale, duke ripostuar qëndrimin e trajnerit dhe duke paralajmëruar se situata nuk mund të vazhdojë kështu.
“Përsëritet sërish edhe këtë javë e njëjta situatë. Ne po investojmë me dashamirësi në futboll, ndërkohë që me investimin tonë po tallen arbitrat, për të mos thënë më shumë! Të paktën për kategoritë e ulëta, të cilat i njoh mirë, niveli i pasionit dhe i ndërgjegjes në sektorin e arbitrimit është tejet, tejet i ulët, me përjashtime të rralla në aspektin pozitiv”, vijon ai.
Në fund, Shimaj ka bërë të ditur se po shqyrton të gjitha mundësitë, duke mos përjashtuar as tërheqjen e Basanias nga kampionati. “Kjo situatë nuk mund të pranohet më dhe realisht po shqyrtoj të gjitha opsionet, edhe tërheqjen nga kampionati”, përfundon presidenti. Reagimi i fortë i drejtuesit vjen në një moment të vështirë për Basanian, e cila kërkon të rikthehet te rezultatet pozitive, por pakënaqësitë për arbitrimin kanë marrë përmasa serioze brenda klubit.





