
Mbrojtësi Fabjan Përndreca do të vazhdojë të jetë pjesë e Dinamos edhe për pjesën tjetër të sezonit.
19-vjeçari u huazua fillimisht nga skuadra e Bylisit vetëm për ndeshjet e kupave të Europës. Megjithatë, paraqitjet e tij pozitive bënë që drejtuesit dinamovitë të lëviznin shpejt për ta mbajtur më gjatë në grup.
Mungesat e shumta prej dëmtimeve e shtynë klubin kryeqytetas të këmbëngulë deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me ballshiotët.
Përndreca, i cili është gjithashtu pjesë e Kombëtares Shqipëria U21, ka fituar besimin e plotë të stafit teknik. Pavarësisht akordit për të gjithë edicionin, Bylisi ruan të drejtën e vendimmarrjes nëse gjatë afatit të janarit vijnë oferta të rëndësishme.
Kjo lëvizje garanton stabilitet në prapavijë për Dinamon gjatë garës në kampionat.





