
Përballja e javës së dytë në Superiore mes Elbasanit dhe Vllaznisë u mbyll në barazim 1-1, por vëmendja kryesore u zhvendos te situata kaotike pas ndeshjes.
Presidenti i klubit shkodran, Alban Xhaferi, akuzohet se ka goditur me grusht asistentin Ergys Spahiu. Kjo ngjarje e rëndë ka kthyer në vëmendje precedentin e vitit 2019, kur presidenti i Kamzës goditi arbitrin Eldorjan Hamiti.
Në atë periudhë, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës vendosi dënimin drastik duke e zbritur Kamzën në Kategorinë e Dytë. Në këtë situatë, masat ndaj Vllaznisë mund të jenë mjaft të rënda.
Shpresojmë shumë që kjo të mos ndodhë, pasi një emër si Vllaznia i duhet elitës së futbollit shqiptar.
Federata Shqiptare e Futbollit reagoi menjëherë përmes një deklarate, duke theksuar se organet disiplinore do të veprojnë me pavarësi të plotë.
Ndër të tjera, FSHF kishte një qëndrim të prerë duke deklaruar se dhuna fizike ndaj zyrtarëve të ndeshjes përbën një vijë të kuqe që nuk mund të kalohet.




