
Dëmtimi i rëndë i Manuel Alanja-s që i mbylli parakohe sezonin ka detyruar klubin e Ascoli-t të kërkojë me urgjencë një mbrojtës të djathtë.
Në listën e dëshirave të ekipit nga Seria B mbetet emri i Elseid Hysajt, i cili si lojtar i lirë mund të firmosë në çdo moment. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare e refuzoi ofertën e parë të italianëve për arsye financiare.
Megjithatë, klubi që ndodhet vetëm 3 pikë larg vendit të parë nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e tij. Përpjekjet e reja konfirmohen nga mediat italiane, ku “Tuttomercato” zbulon se Ascoli i ka propozuar tanimë një kontratë 2-vjeçare.
Kushtet financiare dhe paga e lojtarit pritet të përmirësohen ndjeshëm nëse skuadra arrin ngjitjen në Serinë A. Drejtuesit presin një përgjigje përfundimtare nga futbollisti kuqezi për të mbyllur marrëveshjen.
Hysaj aktualisht është i grumbulluar me përfaqësuesen shqiptare dhe po vlerëson propozimin e ri në tavolinë.








