
Brojën e ndjek fati i keq para ndeshjes me Serbinë
Pavarësisht se luajti si titullar në Kupën e Ligës ndaj Cadriff, Armando Broja nuk ia doli të bindë trajnerin Scott Parker.
Burnley u mund 2-1 dhe u eliminua nga turneu, ndonëse përballë kishte një skuadër të kategorisë së tretë. Në pjesën e parë ekipi pësoi dy gola dhe Broja humbi një mundësi të mirë për të barazuar rezultatin.
Në pjesën e dytë, presingu i tij ndaj portierit shkaktoi një gabim që solli golin e vetëm të Burnley. Sulmuesi pati edhe një tjetër rast për shënim, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri. Pak minuta para fundit, ai u zëvendësua, pa mundur të ndryshonte fatin e ndeshjes.
Broja po has vështirësi për të fituar minuta dhe besimin e trajnerit në skuadrën angleze. Kjo situatë mund të reflektohet edhe në paraqitjet me kombëtaren, në prag të sfidës së rëndësishme ndaj Serbisë.
Lajmet sportive më të shpejta direkt në rrjetet tuaja.





