
Aventurës së Emiljano Çelës te Pogradeci, duket se i ka ardhur fundi. Burime nga klubi liqenor bëjnë me dije për “Vetëm Sport” se tekniku rrezikon largimin në orët e ardhshme.
Shkak janë bërë rezultatet e fundit. Pogradeci numëron katër barazime në pesë javët e fundit në Kategorinë e Parë, shumë larg pritshmërive që ishin në fillim.
Kjo nuk ka lënë një shije të mirë te klubi juglindor. Çela pritet të largohet në orët e ardhshme, për t’i hapur rrugë një trajneri të ri.

Pas tetë javëve në Kategorinë e Parë, Pogradeci mban vendin e tretë me 14 pikë. Presidenca prej vitesh investon shuma të mëdha në klub, por këto nuk janë përkthyer në rezultate.
Skuadra vazhdon të mos arrijë dot ngjitjen në elitë, që është edhe objektivi i klubit.





