
Kukësi ka siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë. Skuadra verilindore triumfoi 2-0 ndaj Butrintit në “play off”, sfidë e zhvilluar në stadiumin e Egnatias në Rrogozhinë.
Kukësi vinte si favorit për këtë sfidë, edhe për shkak të gjendjes së dy ekipeve. Më herët, Butrinti kishte njoftuar probleme me lojtarët në skuadër.
Sfida nisi me kuksianët më kërkues dhe gjetën avantazhin në fundin e pjesës së parë. Ishte Alisson, i cili në minutën e 42-të, i ndihmuar nga një devijim, e ndali topin në rrjetë.
Fraksioni i parë u mbyll me avantazhin e Kukësit, ndërsa pjesa e dytë nisi sërish me gol. Vetëm 15 sekonda pas rifillimit, Tayo dyfishoi shifrat, me golin e qetësisë.
Pas kësaj Butrinti u shfaq i pafuqishëm për të reaguar dhe rezultati nuk ndryshoi deri në fund.
Me këtë fitore, Kukësi siguron qëndrimin në Kategorinë e Parë, ndërsa Butrinti dështon të ngjitet dhe do të luajë në Kategorinë e Dytë.
Më herët, edhe Kukësi ishte rrëzuar në Kategorinë e Dytë. Verilindorët u mposhtën në finalen e “play out” nga Bylis B.
Megjithatë, një rast i veçantë, bëri që të tentojnë sërish qëndrimin. Bylis B, u rrëzua sërish në Kategorinë e Dytë dhe shkak për këtë u bë ekipi i parë.
Bylis u rrëzua nga Superiorja në javën e fundit dhe në edicionin e ri do të luajë në Kategorinë e Parë. Rregullorja nuk e lejon që dy ekipe të njëjta të luajnë në të njëjtin kampionat.
Në këtë situatë, FSHF vendosi rikthimin e Bylis B në Kategorinë e Dytë dhe një ndeshje finale mes Kukësit dhe Butrintit, ku triumfues dolën verilindorët.





