
Milani po hyn në javën më të rëndësishme të sezonit, teksa sfida e së dielës ndaj Cagliari-t në “San Siro” ” mund të përcaktojë fatin e klubit për sezonin e ardhshëm. Kuqezinjtë janë shumë pranë sigurimit të një vendi në Champions League për edicionin 2026-2027 dhe në klub është vendosur të mos lihet asnjë detaj jashtë kontrollit.
Pas fitores ndaj Genoas, stafi teknik dhe skuadra kanë zgjedhur të rikthehen në grumbullim nga dita e premte, me synimin për të ruajtur qetësinë dhe përqendrimin maksimal përpara ndeshjes vendimtare. Vendimi është marrë në dakordësi mes Massimiliano Allegrit, stafit teknik dhe vetë lojtarëve, të cilët vlerësojnë se grumbullimi i javës së kaluar pati ndikim pozitiv në atmosferën e grupit.
Konfirmimi erdhi edhe nga Adrien Rabiot pas suksesit në “Marassi”. Mesfushori francez deklaroi se grumbullimi i ndihmoi lojtarët të stërviteshin më shumë, të komunikonin më mirë mes tyre dhe të krijonin një klimë më të qetë brenda skuadrës. Sipas tij, grupi u izolua nga presioni i jashtëm dhe kjo ndikoi pozitivisht në përgatitjen për ndeshjen.
Massimiliano Allegri pritet të ketë pothuajse të gjithë organikën në dispozicion. Luka Modrić është rikuperuar plotësisht dhe, nëse mbyll normalisht javën e stërvitjes, mund të rikthehet në mesin e fushës si titullar. Krahas kroatit, në dispozicion do të jenë edhe Alexis Saelemaekers, Pervis Estupiñán dhe Rafael Leão, megjithëse aktivizimi i tyre nga minuta e parë mbetet ende në diskutim.
Paraqitja pozitive e Arnaud Atekame ndaj Genoas ka krijuar konkurrencë në krahët e formacionit, ndërsa në repartin ofensiv situata është po aq e hapur. Rafael Leão, që mund të luajë ndeshjen e fundit në San Siro me fanellën e Milanit, aktualisht konsiderohet pas Christopher Nkunku dhe Christian Pulisic në renditjen e sulmit. Pulisic shfaqi rritje të formës në ndeshjen e fundit, ndërsa Nkunku mbetet një nga lojtarët më në formë të repartit ofensiv.
Nga ana tjetër, Santiago Giménez vazhdon të mos bindë. Sulmuesi nuk pati ndikimin e pritur në sfidën me Genoan dhe aktualisht shihet pas Niclas Füllkrug në zgjedhjet teknike të Allegrit. Mediat italiane raportojnë se ekziston mundësia që sulmuesi të largohet gjatë merkatos së verës.
Për sa i përket objektivit kryesor, Milani e ka fatin në duart e veta. Një fitore ndaj Cagliari-t garanton automatikisht pjesëmarrjen në Champions League. Kuqezinjtë mund ta arrijnë objektivin edhe me barazim, nëse nuk krijohen kombinime të pafavorshme në renditje me Juventusin dhe Comon. Edhe humbja mund të rezultojë e mjaftueshme, por vetëm nëse Roma humbet dhe të paktën njëra mes Juventusit ose Comos nuk fiton ndeshjen e saj.






