
Situata te Juventusi është komplikuar ndjeshëm pas humbjes ndaj Fiorentinës, rezultat që ka vënë në dyshim gjithë punën e bërë nga Luciano Spalletti në drejtimin e skuadrës bardhezi. Tashmë Juventusi nuk e ka më në dorën e vet sigurimin e një vendi në Champions League dhe shanset për të arritur objektivin janë reduktuar ndjeshëm në prag të javës së fundit të kampionatit.
Për klubin torinez, mungesa në Champions League do të ishte një goditje e madhe sportive dhe ekonomike. Juventusi nuk ka mbetur jashtë kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube në bazë të rezultateve në fushë që nga sezoni 2010-2011. Përjashtim bën vetëm sezoni 2022-2023, kur skuadra u rendit e shtata pas penalizimit me 10 pikë të lidhur me çështjen e plusvalencave, ndonëse në aspektin sportiv kishte grumbulluar 72 pikë, të mjaftueshme për zonën Champions.
Analiza e ecurisë së skuadrës ka nxjerrë në pah disa probleme të rëndësishme, sidomos në repartin mbrojtës dhe në menaxhimin e ndeshjeve nën presion. Statistikat tregojnë se ndaj Fiorentinës, Juventusi pësoi gol në goditjen e parë në portë të kundërshtarit për herë të 16-të gjatë këtij sezoni. Nga 35 golat e pësuar në total, 46 për qind kanë ardhur pikërisht në tentativën e parë të rivalëve drejt portës. Ky tregues ka rikthyer në qendër të kritikave portierin Michele Di Gregorio. Gardiani bardhezi është konsideruar jo gjithmonë i sigurt në momentet vendimtare dhe paraqitjet e tij kanë ngritur pikëpyetje në një fazë shumë delikate të sezonit.
Një tjetër statistikë që shqetëson ambientin juventin lidhet me reagimin e skuadrës pas disavantazhit. Me Luciano Spalletti-n në stol, Juventusi nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje në Serie A pasi ka kaluar në disavantazh. Ky fakt është interpretuar si mungesë personaliteti dhe vështirësi për të përballuar presionin, sidomos në ndeshjet e luajtura në shtëpi.
Në planin individual, vëmendja është përqendruar edhe te Kenan Yıldız. Talenti turk po kalon një moment të vështirë në fundin e sezonit. Në shtatë ndeshjet e fundit, ku në pesë prej tyre ka qenë titullar, 21-vjeçari nuk ka regjistruar asnjë gol dhe asnjë asist. Një statistikë që bie në sy, duke pasur parasysh pritshmëritë e mëdha që ekzistojnë ndaj tij. Problemet fizike të javëve të fundit janë konsideruar si një nga arsyet e rënies së formës së Yıldız, por në të njëjtën kohë nga lojtari pritej më shumë në momentin kur Juventusi kishte nevojë për liderë në fushë.
Ndërkohë, krahasimet me periudhën e Igor Tudor kanë qenë të pashmangshme. Spalletti ka marrë të njëjtin numër pikësh si paraardhësi i tij në përballjet ndaj Lazios, Comos, Milanit, Atalantës, Veronës, Genoas, Interit dhe Parmës, por rezultatet e fundit kanë bërë që presioni ndaj trajnerit të rritet ndjeshëm.
Tani Juventusi është i detyruar të fitojë në javën e fundit dhe njëkohësisht të presë gabime nga rivalët direkt për të mbajtur gjallë shpresat për Champions.






