
E ardhmja e Dušan Vlahovic vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara te Juventus, ndërsa sulmuesi serb nuk ka ende një marrëveshje për rinovimin e kontratës me klubin bardhezi. Marrëveshja aktuale e lojtarit skadon muajin e ardhshëm dhe deri në këtë moment nuk ka një zgjidhje mes palëve.
Pak muaj më parë situata dukej më e qetë. Pas merkatos së janarit kishte sinjale pozitive dhe optimizëm se Juventus dhe Vlahovic mund të gjenin gjuhën e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin edhe për sezonet e ardhshme. Megjithatë, me kalimin e javëve negociatat kanë humbur ritëm dhe aktualisht raportet mes klubit dhe përfaqësuesve të lojtarit duken më të ftohta.
Juventus i ka paraqitur sulmuesit serb një ofertë rinovimi me pagë rreth 6 milionë euro në sezon. Bëhet fjalë për një shifër dukshëm më të ulët krahasuar me kontratën aktuale të Vlahovic-it, i cili këtë sezon ka qenë ndër futbollistët më të paguar në skuadër. Fillimisht kishte një hapje nga ana e lojtarit për të diskutuar kushtet, por më pas situata ndryshoi dhe negociatat nuk kanë sjellë progres konkret.
Në prapaskenë po ndikojnë edhe interesimet e klubeve të mëdha europiane. Barcelona dhe Bayern Munich po ndjekin me vëmendje zhvillimet rreth sulmuesit serb. Klubi katalanas mund të kërkojë një zëvendësues për Robert Lewandowski-n, ndërsa bavarezët janë në kërkim të një alternative për Harry Kane në repartin ofensiv. Pikërisht mundësia për t’u transferuar te një nga këto skuadra shihet si shumë tërheqëse për Vlahović-in dhe rrethin e tij familjar. Mediat italiane raportojnë se babai i lojtarit, i cili është gjithashtu agjenti i tij, beson se largimi si lojtar i lirë mund t’i sigurojë sulmuesit një kontratë më të favorshme në aspektin ekonomik dhe sportiv.
Ndërkohë, Juventus nuk dëshiron që situata të zgjasë pafundësisht. Drejtuesit bardhezi po planifikojnë ndryshime në repartin ofensiv dhe kanë disa emra që mund të largohen në fund të sezonit. Në listën e futbollistëve që konsiderohen jashtë projektit përmenden Openda, Jonathan David dhe Milik. Për këtë arsye, largimi edhe i Vlahovic-it do të sillte një revolucion të plotë në sulm.
Në klubin torinez ekzistonte ideja që rindërtimi i skuadrës të niste pikërisht nga sulmuesi serb, i cili në një sezon të komplikuar ka qenë ndër të paktët lojtarë që ka dhënë sinjale pozitive në repartin ofensiv. Por aktualisht kjo mundësi duket më e largët se më parë dhe po rriten shanset që në fund të sezonit palët të ndajnë rrugët. Megjithatë, para vendimeve përfundimtare, Juventus mbetet i fokusuar te objektivi kryesor sportiv, sigurimi i një vendi në Champions League. Në këtë fazë vendimtare të sezonit, Vlahović pritet të vazhdojë të ketë një rol të rëndësishëm në skuadër deri në fund të kampionatit.







