
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, prej kohësh është përpjekur të afrojë sipërmarrës të fuqishëm për të financuar në futbollin vendas.
Në këtë kuadër, Duka i ka bërë ftesë të vazhdueshme biznesmenit të njohur Samir Mane për t’u bërë pjesë e futbollit.
Përpjekjet e kreut të FSHF-së duket se kanë nisur të japin rezultate, me Manen që po shqyrton opsionet e mundshme të investimit. Në një video të publikuar së fundmi në rrjetet sociale, të dy shfaqen së bashku gjatë një udhëtimi në Bergamo të Italit. Edhe pse biznesmeni u shpreh se futbolli në Shqipëri nuk prodhon të ardhura, ai pranoi mundësinë e një investimi që mbështetet nga pasioni. Në postimin e tij, Mane zbuloi se gjatë takimit ka diskutuar me Dukën për ide që lidhen me agroturizmin dhe futbollin.
“Dje me mikun tim, Presidentin Armando Duka, në Bergamo, Itali, duke eksploruar ide rreth agroturizmit dhe futbollit, duke ndarë biseda të këndshme dhe duke gjetur frymëzim përgjatë rrugës.”, shkruan Samir Mane.
Ndërsa nuk dihet ende se cilin klub mund të marrë nën menaxhim, sinjalet e para tregojnë se diçka e rëndësishme po përgatitet.








