
Arda Kurtulan shkëlqeu sërish në Superligën turke duke shënuar për skuadrën e Goztepe-s, ku është kthyer në një titullar të padiskutueshëm.
Mbrojtësi po shfaq një formë të shkëlqyer dhe shihet si një pasues ideal për Elseid Hysajn në krahun e djathtë te Shqipëria.
Megjithatë, emri i tij mungon në listën e Kombëtares Shqiptare për shkak të një pengese burokratike nga klubi i tij. Goztepe e ka regjistruar Kurtulanin si lojtar vendas për të mos zënë vend te kuota e të huajve në Turqi.

Nëse ai luan me Kombëtaren e Shqipërisë, rrezikon të humbasë statusin e lojtarit vendor në kampionatin turk. Lidhur me këtë situatë në të kaluarën ka folur edhe Ervin Bulku, i cili konfirmoi se stafi i Kombëtares është në bisedime të vazhdueshme me lojtarin dhe familjen e tij.
Bulku shpjegoi se zgjidhja e problemit lidhet me lëvizjen e mundshme të lojtarit drejt një tjetër skuadre ose sqarimin e statusit të tij me klubin aktual. Stafi kuqezi shpreson që çështja e dokumentacionit të zgjidhet sa më shpejt për ta pasur mbrojtësin në dispozicion për ndeshjet zyrtare.







