
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se lojtari i Kombëtares, Ivan Balliu, ka pësuar një dëmtim në kyçin e këmbës gjatë ndeshjes së fundit të zhvilluar me klubin e tij, Rayo Vallecano, në transfertë ndaj Osasunës.
Balliu i është nënshtruar rezonancës magnetike, e cila ka evidentuar një dëmtim në kyçin e këmbës dhe ka nisur programin e rehabilitimit pranë klubit të tij. Stafi mjekësor i Kombëtares shqiptare është në komunikim të vazhdueshëm me stafin mjekësor të Rayo Vallecanos për të ndjekur nga afër gjendjen e lojtarit dhe ecurinë e rikuperimit të tij.
Nëse situata do të përmirësohet në ditët në vijim, Balliu do të bashkohet me grupin e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Maran për ndeshjet e radhës të Kombëtares.





