
Real Madrid bëhet gati për trajnerin e ri. Álvaro Arbeloa ka konfirmuar zyrtarisht largimin nga drejtimi i skuadrës menjëherë pas ndeshjes së fundit të sezonit kundër Athletic Bilbaos. Trajneri spanjoll pranoi publikisht se aventura e tij në stol po shkon drejt fundit, duke i dhënë fund spekulimeve që prej javësh qarkullonin në mediat spanjolle.
Arbeloa mori drejtimin e ekipit në muajin janar, pas largimit të Xabi Alonso, në një periudhë të komplikuar për klubin madrilen. Megjithatë, eksperienca e tij në pankinën e skuadrës së parë rezultoi e shkurtër. Vetë tekniku deklaroi se jo çdo vendim gjatë kësaj periudhe ka qenë në kontrollin e tij, por theksoi se gjithmonë ka vendosur interesat e klubit mbi objektivat personale.
Në deklaratën e tij, Arbeloa kujtoi lidhjen e gjatë me Real Madridin, duke theksuar se ka kaluar 20 vite në role të ndryshme brenda klubit. Trajneri spanjoll deklaroi gjithashtu se ndihet më i përgatitur pas eksperiencës së këtyre katër muajve dhe se është gati për sfida të reja në karrierë.
Ndërkohë, në Madrid kanë nisur menjëherë diskutimet për pasuesin e tij. Emri që po përmendet më shumë është ai i José Mourinhos. Portugezi shihet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e “Los Blancos” dhe për të hapur një cikël të ri në klub. Rikthimi i Mourinhos pritet të rikthejë vëmendjen e madhe mediatike dhe debatet në ambientin madrilen, duke qenë se ai mbetet një nga figurat më të komentuara në historinë moderne të klubit.
Pavarësisht rezultateve jo plotësisht bindëse në këtë periudhë, Arbeloa largohet si një figurë e respektuar nga tifozët e Real Madrid. Ish-mbrojtësi luajti për klubin nga viti 2009 deri në vitin 2016, duke fituar disa trofe të rëndësishëm gjatë asaj periudhe. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai vazhdoi punën në akademinë e klubit, ku u angazhua në zhvillimin e talenteve të rinj.
Tashmë Real Madrid pritet të nisë një tjetër fazë ndryshimesh, me pankinën që sërish bëhet qendra e vëmendjes.






