
Como ka shkruar një nga historitë më të rëndësishme të sezonit në futbollin italian, duke siguruar matematikisht kualifikimin në Europë për edicionin e ardhshëm. Skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas triumfoi 1-0 në transfertë ndaj Hellas Verona në stadiumin Marcantonio Bentegodi, në një sfidë që vulosi një sezon historik për klubin lombard.
Vendimtar në këtë takim ishte Douvikas, i cili realizoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 71-të. Sulmuesi përfitoi nga një aksion i shpejtë dhe me një goditje të fuqishme me të djathtën mposhti portierin Montipo, duke i dhënë Como-s tri pikë me vlerë europiane.
Pjesa e parë ishte më e vështirë për skuadrën mike. Verona, edhe pse tashmë e rënë nga kategoria, u shfaq më kërkuese dhe krijoi rastet më të mira në minutat e para. Vetëm pas 3 minutash lojë, Butez u detyrua të bënte një pritje të rëndësishme ndaj goditjes së Suslov. Nga ana tjetër, Como kishte vështirësi në ndërtimin e aksioneve. Nico Paz dhe Diao nuk arritën të gjenin hapësirat e duhura, ndërsa Rodriguez ishte lojtari më aktiv në repartin ofensiv. Rasti më i mirë për skuadrën e Fabregas në pjesën e parë erdhi në kohën shtesë, kur Rodriguez krijoi një mundësi për Douvikas, por tentativa e sulmuesit u devijua në këndore.
Në pjesën e dytë, trajneri spanjoll aktivizoi Smolcic dhe Baturina në vend të Vojvoda-s dhe Rodriguez-it, lëvizje që ndryshuan ritmin e lojës. Como u shfaq shumë më agresiv në sulm dhe nisi të kontrollonte sfidën. Diao paralajmëroi me një goditje me kokë që kaloi pranë shtyllës, ndërsa më pas Da Cunha dhe Baturina kombinuan mirë në zonë, por pa arritur të finalizonin aksionin.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 71-të. Edmundson u kalua nga Douvikas, i cili goditi menjëherë me të djathtën dhe dërgoi topin në rrjetë për avantazhin 1-0 të Como-s. Pas golit, Verona provoi të reagonte me Suslov dhe Bowie, ndërsa ky i fundit arriti edhe të dërgonte topin në rrjetë. Megjithatë, goli u anulua për pozicion jashtë loje në ndërtimin e aksionit.
Në minutat e mbetura, Como administroi avantazhin dhe siguroi një sukses historik. Vetëm dy vite më parë, më 10 maj 2024, skuadra festonte rikthimin në Serie A pas 21 vitesh mungesë. Tashmë, klubi siguron pjesëmarrjen në Europë dhe mbyll një sezon që do të mbetet gjatë në historinë e tij.




